Në kuadër të projektit “Edukimi Mediatik – Ekspertiza Nordike në Kosovë”, Education Empowerment Initiative (EEI) zhvilloi një sesion interaktiv me Këshillin e Nxënësve të SHFMU “Dardania” në Prishtinë, me fokus në zhvillimin e aftësive të edukimit mediatik dhe mendimit kritik tek të rinjtë.
Sesioni u bazua në njohuritë dhe përvojat e fituara gjatë programit Trajnimi i Trajnerëve (Training of Trainers), të realizuar nga ekspertë nordikë të edukimit mediatik. Gjatë aktivitetit u prezantuan praktika dhe qasje të suksesshme të vendeve nordike, të përshtatura me sfidat dhe realitetin e përditshëm të të rinjve në mjedisin digjital.
Përmes diskutimeve dhe ushtrimeve praktike, nxënësit trajtuan tema që lidhen me mendimin kritik, verifikimin e informacionit, identifikimin e dezinformatave dhe përdorimin e përgjegjshëm të mediave. Aktiviteti u përmbyll me një diskutim të hapur, ku pjesëmarrësit ndanë përvojat, pikëpamjet dhe sfidat me të cilat përballen gjatë informimit në epokën digjitale.
EEI mbetet e përkushtuar në promovimin e edukimit mediatik si një element kyç për zhvillimin e qytetarëve të informuar, kritikë dhe aktivë, duke kontribuar në ndërtimin e një shoqërie më demokratike dhe më rezistente ndaj dezinformatave.
Ky aktivitet u realizua nga Education Empowerment Initiative (EEI) në kuadër të projektit “Edukimi Mediatik – Ekspertiza Nordike në Kosovë”, i financuar nga Këshilli Nordik i Ministrave, me mbështetjen e ambasadave nordike në Kosovë.

