Education Empowerment Initiative (EEI) ka kënaqësinë të njoftojë fillimin zyrtar të projektit Green Schools Initiative (GSI), një nga gjashtë projektet e financuara nga Bashkimi Evropian në kuadër të Programit IPA III për Bashkëpunim Ndërkufitar ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Projekti është pjesë e një pakete investimesh prej 3.24 milionë eurosh, e dedikuar për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm.
Projekti udhëhiqet nga South East European University (SEEU) dhe zbatohet në partneritet me Education Empowerment Initiative (EEI) dhe INDEP, ndërsa Komuna e Ferizajt dhe Komuna e Bërvenicës janë komunat përfituese ku do të realizohen aktivitetet dhe ndërhyrjet e planifikuara.
Green Schools Initiative synon të promovojë edukimin mjedisor, qëndrueshmërinë dhe krijimin e mjediseve më të gjelbra dhe më efikase energjetikisht në shkolla dhe komunitete. Përmes këtij projekti do të zhvillohen aktivitete që kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit, ngritjen e vetëdijes dhe përmirësimin e kushteve për mësim dhe zhvillim në të dy anët e kufirit.
Gjatë dy viteve të ardhshme, partnerët do të bashkëpunojnë ngushtë për realizimin e objektivave të projektit, duke kontribuar në avancimin e edukimit, mbrojtjen e mjedisit dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Për EEI-në, pjesëmarrja në këtë projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm në zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe një dëshmi të besimit të vazhdueshëm të partnerëve dhe Bashkimit Evropian në misionin dhe angazhimin e organizatës për zhvillim të qëndrueshëm dhe fuqizim të komunitetit.

