EEI organizoi Tryezë të Rrumbullakët të fazës së parë të projektit “Shkollat pa Vape – Siguria në Shkolla”

Education Empowerment Initiative (EEI) organizoi në Prishtinë Tryezën Rrumbullake përmbyllëse të fazës së parë të projektit “Shkollat pa Vape – Siguria në Shkolla”, duke sjellë në fokus një nga shqetësimet më serioze për mjedisin shkollor dhe mirëqenien e fëmijëve.

Të dhënat e prezantuara janë alarmante: në 4 shkolla pjesëmarrëse janë identifikuar 13 raste të varësisë së nxënësve ndaj vape-ve, ndërsa 80% e klasave kanë deklaruar se të paktën njëherë kanë përdorur vape. Kjo tregon për përhapjen në rritje të këtij fenomeni mes moshave të reja dhe për nevojën urgjente për ndërhyrje.

Tryeza mblodhi bashkë përfaqësues të Drejtorisë Komunale të Arsimit, mësimdhënës, staf shkollor, psikologë, prindër, nxënës dhe shoqëri civile, për një diskutim të thelluar mbi pasojat shëndetësore, sociale dhe edukative të përdorimit të vape-ve nga fëmijët.

Në këtë aktivitet u ndanë mirënjohje për mësimdhënësin Zymer Cakolli dhe nxënësit vullnetarë që kontribuan në hulumtimin e parë në terren, si dhe një mirënjohje e veçantë për profesoreshën nga Shqipëria Davida Marku e cila u bashkua për të ndarë përvojën dhe për të mbështetur nismën që synon një mjedis më të sigurt shkollor në të gjithë rajonin.

Diskutimet dhe rrëfimet e ndara konfirmuan domosdoshmërinë për masa konkrete, edukim të vazhdueshëm dhe angazhim të koordinuar institucional, në funksion të një mjedisi shkollor të sigurt dhe të shëndetshëm për çdo fëmijë.

Ky aktivitet u realizua me mbështetjen e Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në kuadër të programit ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia.

Një falënderim i veçantë për KCSF për mundësimin e kësaj faze të rëndësishme, si dhe për gjithë përkushtimin ndaj iniciativave që ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin dhe sigurinë e brezit të ri. KCSF

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *